Vasfije Krasniqi: Historia e Pathënë e Si U Bëra Nënë mes Kaosit
Kosovë
![]()
Sinjali.com
19 Korrik 2026 15:06
Gruaja që u bë zëri i të dhunarave gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman, ka ndarë historinë e saj se si u bë nënë për herë të parë.
“Para 25 vitesh u bëra nënë për herë të parë.Isha vetëm 18 vjeçare, kur mora rrugën e mërgimit drejt SHBA-së. Gjithçka ishte e panjohur për mua. Isha larg familjes, larg bashkëshortit dhe përballë një lindjeje jashtëzakonisht të vështirë”, shkroi ajo.
Krasniqi Goodman, tutje rrëfeu se si stafi mjekësor amerikan e mësoi shpejt shprehjen e përdorur shpesh në popullin shqiptar “Oh nanë, deka”.
“Stafi mjekësor e mësoi shpejt shprehjen time: “Oh nanë, deka!”, sepse për orë të tëra e përsërisja sa herë më kapnin dhimbjet. Por kjo kokëfortësia ime nuk donte të vinte lehtë në këtë botë. Në fund, u linde me vacuum delivery”.
E mbijetuara nga krimet e Serbisë, tutje në postimin në Facebook, deklaroi se kur vajza i erdhi në jetë të gjitha dhimbjet ju ndalën, ndërsa për emrin u frymëzua nga një këngë, përcjell Sinjali.
“Në çastin që erdhe në jetë, të gjitha dhimbjet mu ndalën. Sapo kisha mbushur 19 vite, dhe m’u plotësua dëshira ime më e madhe: të bëhesha nënë e një vajze. Të pagëzova, Alisa, frymëzuar nga kënga e Nexhat Osmani”.
Krasniqi Goodman, përmendi edhe traumat e përjetuara gjatë luftës, ku tha se përkundër tyre bëri më të mirën që mundi për ta rritur vajzën.
“Të rrita mes shumë sfidash. Edhe pse isha e martuar, për shkak të misioneve të shumta të babait tënd gjatë 13 viteve të para të martesës sonë, shpesh isha si një nënë e vetme. Bëra më të mirën që munda, ndërsa përballesha edhe me plagët dhe traumat e mia.
Që e vogël, të ra barra të kujdeseshe për një nënë që jetonte me ankth dhe PTSD të rëndë. Ndoshta nuk e kisha mundësinë të isha nëna e përsosur që doja të isha. Nëse do të kisha qenë qoftë edhe 50% më shumë nënë sesa munda atëherë, sot do të ndihesha më e lumtur. Megjithatë, ti u rrite duke u bërë një grua e fortë, e mençur, e përkushtuar ndaj familjes dhe një nënë e mrekullueshme”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!