Babai nga Malisheva në dëshpërim: Çfarë u bë me fëmijët e mi?
Një burrë nga Malisheva ka denoncuar në Policinë e Kosovës ish-bashkëshorten e tij, M.M., pasi pretendon se ka marrë katër fëmijët e tyre dhe është larguar drejt Francës pa pëlqimin e tij.
Në një prononcim për Klankosova.tv, H.I. ka deklaruar se, që nga momenti kur ish-bashkëshortja është larguar me fëmijët, ai nuk ka pasur më asnjë kontakt me ta.
Për këtë arsye, ai thotë se i është drejtuar organeve të rendit, duke kërkuar ndihmë për t’i takuar dhe për t’u kujdesur për fëmijët e tij.
Sipas tij, ata ndodhen aktualisht në proces të ndarjes, ndërsa ai pretendon se arsyet që kanë çuar në këtë vendim janë tradhtia dhe braktisja e fëmijëve nga ana e ish-bashkëshortes.
I njëjti ka deklaruar se ish-gruaja nuk e ka bërë për herë të parë këtë veprim.
Sipas tij, ajo mori dy herë fëmijët dhe u largua, megjithatë, ai shtoi se herën e parë e pranoi rikthimin e saj “për hatër të fëmijëve”.
“Pas më shumë se dy jave u kthye, qëndruam afër një muaj e gjysmë bashkë..”, u shpreh ai për redaksinë e Klankosova.tv.
Megjithatë, ai thekson se kërkesa e tij e vetme është kthimi i fëmijëve në Kosovë.
“Unë nuk e kërkoj atë [ish-bashkëshorten], i kërkoj fëmijët e mi. Asaj i them udha e mbarë, por fëmijët m’i kthe në Kosovë. Dua t’i shoh dhe të kujdesem për ta”, ka deklaruar H.I. për redaksinë e Klankosova.tv.
Lidhur me rastin ka njoftuar edhe Policia e Kosovës dhe është iniciuar hetimi, raporton Klankosova.tv
Sipas raportit zyrtar, ankuesi ka raportuar se bashkëshortja e tij, me të cilën është në proces të ndarjes, ka marrë fëmijët dhe është larguar në drejtim të Francës.