Browse

Article 1 min read

Fahri Xharra trondit me urimin për fëmijët myslimanë: Çfarë ndodhi?

Share Post

Fahri Xharra ka shkaktuar reagime me një koment të publikuar nën një fotografi ku shfaqen fëmijë që ndjekin mësimbesimin në Xhaminë e Wil-it në Zvicër.

Në postim, Xharra shkruan: “Cofshin me rend, këta janë turpi i kombit.”

Përdorimi i foljes “cof” për njerëzit nuk është rastësor. Në gjuhën shqipe, kjo fjalë përdoret zakonisht për bagëtinë, duke e zhvendosur që në nisje objektin e sulmit jashtë një gjuhe normale njerëzore.

Ndërsa shprehja “me rend” e çon deklaratën edhe më tej, pasi nënkupton dëshirën për zhdukjen e tyre njëri pas tjetrit. Kështu, nuk kemi të bëjmë thjesht me një fyerje apo një qëndrim të ashpër ndaj një individi, por me një gjuhë që synon një kategori të tërë njerëzish.

Në këtë rast, objekt i sulmit janë fëmijë që ndjekin mësimin fetar. Për këtë arsye, deklarata ngre shqetësime serioze mbi gjuhën e urrejtjes dhe dehumanizimin e besimtarëve myslimanë.

Të urosh “cofjen” e fëmijëve, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare, është një shprehje që meriton të dënohet qartë dhe pa ekuivok.

Fahri Xharra është bërë prej kohësh i njohur për qëndrimet e tij të ashpra ndaj Islamit dhe myslimanëve, me deklarata dhe shkrime që shpesh janë kritikuar si islamofobe. Komenti i fundit, i drejtuar ndaj fëmijëve që ndjekin mësimbesimin në xhami, shihet si një tjetër shembull i kësaj gjuhe denigruese ndaj besimtarëve myslimanë.