Browse

Article 1 min read

Endrit Nika sërish në gjyq: Rasti që nuk po mbyllet

Share Post

Siguri

news image

sinjali

Sinjali.com

01 Shtator 2026 09:22


Endrit Nika është sërish para gjykatës për rastin e vdekjes së shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, pasi Gjykata e Apelit e ka kthyer çështjen në rigjykim, raporton Gazeta Sinjali.

Nika ishte dënuar më 19 shkurt 2026 me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale për të cilën akuzohej.

Megjithatë, vendimi nuk kishte marrë formë të prerë dhe rasti vazhdoi në Gjykatën e Apelit pas ankesave të palëve.

Më 7 gusht 2026, Apeli vendosi që çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në qendër të rastit është vdekja e Maria Clara Urdangaray, e cila në gusht të vitit 2023 kishte rënë nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Nika dyshohet se kishte ushtruar dhunë ndaj argjentinases dhe më pas e kishte hedhur atë nga dritarja e dhomës së hotelit.

Prokuroria e kishte ngarkuar Nikën me akuzë për vrasje të rëndë, ndërsa ai i kishte mohuar akuzat.

Në procedurën e kaluar, mbrojtja kishte kundërshtuar versionin e Prokurorisë dhe kishte kërkuar lirimin e Nikës.

Në anën tjetër, familja e viktimës dhe pala e dëmtuar kishin kërkuar që dënimi ndaj tij të ashpërsohej.

Rasti më pas u shqyrtua nga Gjykata e Apelit, e cila konstatoi shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vendosi që çështja të kthehet në shkallën e parë.

Sipas vendimit të Apelit, gjatë rigjykimit duhet të rishqyrtohen çështjet e ngritura në procedurën e mëparshme, ndërsa parashihet edhe dëgjimi i dëshmitarëve shtesë.

Kjo nënkupton se dënimi prej 18 vjetësh burgim i shqiptuar ndaj Nikës nuk përbën epilogun përfundimtar të rastit.

Tash, Gjykata Themelore në Prishtinë do ta shqyrtojë përsëri çështjen, do të administrojë provat dhe do të dëgjojë palët e dëshmitarët, para se të marrë një vendim të ri.

Rasti kishte marrë vëmendje të madhe publike për shkak të rrethanave në të cilat kishte ndodhur vdekja e shtetases argjentinase në Fushë-Kosovë.

Endrit Nika vazhdon të gëzojë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/