Fati i Ilir Ademit: Dënimi që po komentohet nga të gjithë
Drejtësi
![]()
Sinjali.com
14 Shtator 2026 20:47
Ilir Ademi, punëtori i shkollës që akuzohej për sulmin seksual ndaj një vajze 7-vjeçare në Vushtrri, është dënuar me 10 vjet burgim.
Aktgjykimi është shpallur nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, përkatësisht Departamenti për të Mitur, pasi Ademi është shpallur fajtor për veprën penale “Sulmi seksual”.
Përveç dënimit me burgim, gjykata i ka shqiptuar edhe dënim plotësues, duke ia ndaluar ushtrimin e profesionit, veprimtarisë ose detyrës si “nëpunës teknik dhe mbështetës” në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës për pesë vjet.
Ky dënim plotësues do të fillojë së zbatuari nga dita kur aktgjykimi të marrë formën e prerë, ndërsa koha që Ademi do ta kalojë në burgim nuk do të llogaritet në kohëzgjatjen e ndalimit pesëvjeçar.
Gjykata ka vendosur gjithashtu që Ademit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar. Koha e kaluar në paraburgim nga 1 prilli 2026 do t’i llogaritet në dënimin me burgim
Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për këtë rast më 3 prill 2026, vetëm dy ditë pas ngjarjes së rëndë.
Sipas raportimit të atëhershëm të Sinjalit, rasti kishte ndodhur më 1 prill, rreth mesditës, në rrugën “Ajet Gërguri” në Vushtrri. Ilir Ademi ishte arrestuar si i dyshuar dhe ishte dërguar në mbajtje për 48 orë.
Nga arrestimi dhe nisja e hetimeve, çështja ka përfunduar tashmë me aktgjykim dënues: 10 vjet burgim dhe ndalim pesëvjeçar për të punuar në cilëndo shkollë në Kosovë.
Për mbrojtjen e viktimës së mitur, Gazeta Sinjali nuk do të publikojë asnjë të dhënë që mundëson identifikimin e saj.
Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe ndaj tij palët kanë të drejtë ankese.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!