Në ditën kur sytë janë drejtuar nga Haga për zhvillimet në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, familja e Jakup Krasniqit ka ndarë në rrjetet sociale një moment emocional.
Në videon e publikuar nga vajza e Krasniqit shfaqet mbesa e tij e vogël, e cila afrohet dhe puth portretin e gjyshit. Pamjet shoqërohen nga fjalët: “Unë s’jam e lirë, pa lirinë tënde, gjysh”.
Krahas videos është publikuar edhe një dedikim në emër të vogëlushes, përmes të cilit shprehet malli dhe krenaria për gjyshin e saj.
“Prej tokës e gjer në qiell, do të jetoj me krenari që në gjakun tim, në trupin tim të vogël, rrjedh gjaku yt ilir!”, thuhet në mesazh, i cili mbyllet me fjalët: “Të pres me mall e dashuri!”.
Videoja është shpërndarë në një moment të rëndësishëm për procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Vëmendja është përqendruar te seanca e parashikuar të zhvillohet këtë të mërkurë, ndërsa zhvillimet nga Haga po ndiqen me interes të lartë edhe në Kosovë e Shqipëri.