385 Arrestime të Paligjshme: Çfarë Zbuloi Haga?
![]()
Sinjali.com
16 Shtator 2026 10:54
Gjykata Speciale në Hagë ka konstatuar se është kryer krim lufte në lidhje me arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm të të paktën 385 personave nga anëtarë të UÇK-së.
Sipas konstatimeve të trupit gjykues, këto raste kanë ndodhur gjatë periudhës nga prilli i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999, në disa qendra ndalimi të kontrolluara nga UÇK-ja.
“sa i përket pikës “Arrestim ose ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trupi gjykues ka konstatuar se midis prillit 1998 dhe qershorit 1999, së paku 385 personave iu hoq arbitrarisht liria nga anëtarë të UÇK-së në disa qendra ndalimi të kontrolluara nga UÇK-ja”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.
Smith ka deklaruar se personat ishin arrestuar nga anëtarë të UÇK-së dhe policia ushtarake, nën dyshimet se ishin bashkëpunëtorë, spiunë apo tradhtarë.
“Ato u arrestuan nga anëtarë të UÇK-së dhe policia ushtarake. Ata u ndaluan me akuzat që ishin kolaboracionist, spiunë, tradhtarë”, ka thënë Smithi.
“Nuk ka prova të besueshme se personat që ishin të ndaluar ishin kolaboracionist, tradhëtar ose spiunë ashtu sic kishin pretenduar UÇK-ja”.
Sipas trupit gjykues, mënyra e arrestimit dhe ndalimit të këtyre personave tregon se disa prej anëtarëve të përfshirë kanë vepruar pa një arsye të vlefshme dhe në shpërfillje të garancive mbrojtëse dhe procesit të rregullt.
“Trupi gjykues konstatoi se mënyra e qëllimshme me të cilat viktimat u ndaluan dhe u arrestuan pa dhënë asnjë arsye për ndalimin e tyre dhe duke iu mohuar çdo formë e gjykimi të rregullt, tregojnë se disa prej anëtarëve të përfshirë synonin arrestimin dhe ndalimin e tyre pa ndonjë arsye të vlefshme dhe në shpërfillje të çdo garancie mbrojtëse dhe forme të procesit të rregullt”, ka thënë Smithi.
Po ashtu, trupi gjykues ka konstatuar se 348 persona janë trajtuar në mënyrë mizore, ndërsa 303 prej tyre janë torturuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!