Gjykimi ndaj Millorad Gjokoviqit: Detajet e pathëna që po dalin në dritë
Drejtësi
![]()
Sinjali.com
18 Shtator 2026 12:11
Ka vazhduar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë Departamenti Special me kryetare të trupit gjykues, Gjyqtare Donikë Shala Avdyli gjykimi ndaj Millorad Gjokoviqit, i akuzuar nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Gjokoviqi është sjellë në sallën e gjykimit, ndërsa në seancë pritet të dëgjohet një dëshmitar.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Gjokoviqi dyshohet se gjatë viteve 1998–1999, në fshatin Ozdrim dhe në fshatrat përreth Pejës, në bashkëveprim me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, ka marrë pjesë në vrasje, bastisje, rrahje, arrestime, tortura dhe trajtim mizor e çnjerëzor të civilëve shqiptarë.
Prokuroria pretendon se më 7 maj 1999, forcat serbe e kishin rrethuar Ozdrimin dhe e kishin sulmuar nga tri drejtime. Gjatë ofensivës, sipas aktakuzës, ishin vrarë gjashtë civilë shqiptarë, ndërsa tre të plagosur ishin dërguar fillimisht në Spitalin e Pejës dhe më pas dyshohet se ishin ekzekutuar dhe varrosur në Lutogllavë.
Pesë persona të tjerë pretendohet se ishin vrarë gjatë të njëjtit operacion, por trupat e tyre nuk janë gjetur dhe vazhdojnë të figurojnë në listën e personave të zhdukur.
Dosja e Prokurorisë pretendon gjithashtu se rreth 40 civilë ishin arrestuar dhe dërguar në një garazh të njohur si “Shupa e Shemit”, pranë nënstacionit policor në Ozdrim. Ata dyshohet se ishin mbajtur për tri ditë pa ushqim dhe ujë dhe ishin torturuar fizikisht.
Pas tri ditësh, sipas aktakuzës, vetëm 12 prej tyre ishin liruar, ndërsa 28 të tjerët ishin ndarë në tri grupe dhe ishin dërguar në një shtëpi në Pejë, ku pretendohet se ishte vendosur komanda e Ushtrisë serbe. Më pas, ata ishin transferuar në Burgun e Pejës dhe prej aty në Burgun e Leskovcit në Serbi.
Gjokoviqi, i njohur me nofkën “Mici”, është deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tij. Mbrojtja ka mohuar përfshirjen e tij në ngjarjet e përshkruara nga Prokuroria.
Gjykimi ishte rihapur më 27 korrik 2026, në ditën kur pritej shpallja e aktgjykimit, për shkak të çështjes së një deklarate të dëshmitares Nurije Krasniqi, e dhënë në Institutin për Krime të Luftës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!