Nëna e Hashim Thaçit nuk e di vendimin, çfarë zbuloi familja?
Kosovë
![]()
Sinjali.com
18 Shtator 2026 15:11
Familjari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Njazi Thaçi, ka folur në emisionin “Mesditë” në TËVË1 lidhur me vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Thaçi e ka cilësuar vendimin si të padrejtë, duke thënë se familjarët vazhdojnë të besojnë në pafajësinë e tyre. Ai ka deklaruar se, sipas tij, vendimi është politik dhe pa bazë ligjore.
“Ashtu si krejt populli i Kosovës, dihet qartë se ky vendim është politik, pa asnjë bazë ligjore, dhe i rrënon themelet e pavarësisë së Kosovës. UÇK-ja është themeluesja e pavarësisë së Kosovës. Lufta e saj ka qenë e drejtë dhe për liri. Ne kemi kërkuar vetëm drejtësi. Ne kemi qenë të bindur se drejtësia do të triumfojë, por, siç po shihet, me direktiva të Serbisë edhe të Rusisë, ky vendim është i marrë”, ka thënë Thaçi.
I pyetur nëse nëna e Hashim Thaçit është në dijeni për vendimin, Njazi Thaçi ka thënë se, sipas informacionit që ka, ajo ende nuk është informuar.
“Me aq sa kam unë informacion, nëna e Hashim Thaçit ende nuk ka informacion. Këto gjashtë vite kanë qenë shumë të rënda për familjen. Realisht, pa asnjë përkrahje institucionale, vetëm në aspektin financiar nga familja. Familja nuk i ka humbur shpresat për drejtësi asnjëherë”, ka deklaruar më tej Thaçi.
Familjari i Thaçit ka theksuar se familja vazhdon të shpresojë në drejtësi, ndonëse ka shprehur skepticizëm edhe për procesin e ankimimit.
Ai ka thënë se familjarët do të vazhdojnë ta ndjekin procesin dhe të kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!