Browse

Article 1 min read

Identiteti i tri viktimave të luftës zbulohet pas 27 vitesh: Lidhja intriguese

Share Post

Tri viktima të luftës së Kosovës, pjesë e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, janë identifikuar përmes analizës së ADN-së, pas gjetjes së mbetjeve mortore në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, duke njoftuar se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur është informuar për pranimin e tri raporteve të para të ADN-së nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.

“Në nisje të vizitës sime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u njoftova nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur se janë pranuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur tri raportet e para të ADN-së, nga mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Në më pak se dy muaj nga konfirmimi i varrit të parë masiv, analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, duke vërtetuar lidhjen me personat e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe. Raportet e ADN-së janë ndarë me Institutin për Mjekësi Ligjore dhe mënjëherë, sot, përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të Institutit kanë njoftuar familjet e tri viktimave të identifikuara”, ka shkruar Kurti.

Ndërkohë, Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për identitetin e të arrestuarve në këtë rast. Bëhet fjalë për Jugoslav Radojević, Momir Jakšić, 80 vjeç, dhe Miljko Biševac, 65 vjeç.

Kurti ka bërë të ditur se në ditët dhe javët në vijim priten edhe raporte të tjera për mostrat e dërguara për identifikim përmes analizës së ADN-së.

Kurti ka rikujtuar se më 27 korrik ishte konfirmuar gjetja e varrit masiv në Kalludër, ndërsa ka përsëritur kërkesën ndaj faktorëve ndërkombëtarë për të shtuar trysninë ndaj Serbisë lidhur me personat e zhdukur.

“Më 27 korrik u konfirmua gjetja e varrit masiv në Kalludër. Gjatë vizitës në këtë lokacion, theksova se është jetike që faktorët ndërkombëtarë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar më 2 maj 2023 në Bruksel, veçanërisht për hapjen e menjëhershme të arkivave, përfshirë arkivin e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer masakra në Kosovë, posaçërisht në Drenicë, dhe dokumentacionin e së cilës Serbia ka klasifikuar në vitin 2014 për një periudhë prej tridhjetë vjetësh.”

Kryeministri ka thënë se institucionet do të vazhdojnë kërkimet në terren dhe mbështetjen për procesin e identifikimit, duke theksuar se komunikimi me familjet do të jetë i drejtpërdrejtë dhe i kujdesshëm.

“Përkushtimi ynë institucional do të vazhdojë me kërkime në terren, mbështetje për procesin e identifikimit dhe komunikim të drejtpërdrejtë e të kujdesshëm me familjet. Do të qëndrojmë pranë tyre dhe do t’i mbështesim në kërkesat për të vërtetën, drejtësinë dhe kthimin me dinjitet të më të dashurve.”

Kurti e ka cilësuar zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë si prioritet shtetëror.

Në fund të postimit, ai ka thënë se edhe gjatë vizitës në SHBA dhe takimeve në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, çështja e personave të zhdukur do të mbetet pjesë e angazhimit të tij dhe të Qeverisë së Kosovës.

“Edhe gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara dhe në takimet në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ashtu si çdo ditë në punën time dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës e vërteta për fatin e më të dashurve tanë dhe drejtësia për viktimat e familjet e tyre do të jenë në qendër të angazhimit tonë. Pjesë e pandashme e kësaj agjende do të jetë kërkesa që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e zotimeve të marra, hapjen e arkivave dhe ofrimin e informacionit që mundëson zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.”, shkroi Kurti.

Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për identitetin e të arrestuarve, të cilët janë, Jugoslav Radojević, Momir Jakšić (80 vjeç) dhe Miljko Biševac (65 vjeç).

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/