Çfarë ndodhi me Vali Corleonen sot në gjykatë?
Drejtësi
![]()
Sinjali.com
23 Shtator 2026 09:37
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Princ Valentino Corleonen, i njohur si Vali Corleone, me një vit burgim me kusht dhe 4 mijë euro gjobë, në rastin lidhur me narkotikët, raporton Gazeta Sinjali.
Shpallja e dënimit vjen pasi Corleone, më 21 shtator, ishte sjellë me detyrim në gjykatë. Siç kishte raportuar Sinjali, ai kishte munguar në dy seanca radhazi, çka kishte shtyrë gjyqtarin të urdhëronte sigurimin e pranisë së tij.
Aktakuza ndaj tij ishte ngritur më 29 qershor 2023 dhe lidhej me një ngjarje të 17 marsit të atij viti, në një motel në Çagllavicë.
Sipas aktakuzës, Corleone ndodhej në shoqërinë e dy vajzave kur kishte ftuar edhe një tjetër, së cilës pretendohej se i kishte dhënë kokainë për konsum. Gjatë kontrollit policor, sipas Prokurorisë, atij i ishin gjetur një dozë dhe një qese me kokainë, me peshë të përgjithshme prej 0,39 gramësh.
Prokuroria e kishte ngarkuar me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267, paragrafi 1, të Kodit Penal.
Në seancën fillestare, të mbajtur më 22 prill 2025, Corleone ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën që i vihej në barrë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!