Gazetarja përplaset me Presidenten, por si mysafire e PDK-së: Çfarë po ndodh në prapaskenë?
Një përplasje verbale mes kryetares së Kuvendit të Kosovës njëherit ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe një gazetareje gjatë konferencës për media të mbajtur dje pas mbledhjes së kryesisë, ka ngjallur reagime të mëdha në opinion publik ku është kritikuar sjellja e gazetares Edona Gashi e njohur ndryshe si Shoqja Edonë.
Pas mbledhjes së kryesisë gjatë konferencës, Edona Gashi në vazhdimësi insistonte duke i bërë pyetje znj.Haxhiu edhe pse znj. Haxhiu fillimisht u përgjigj në pyetjen e saj ku tha se ajo i mbështet protestat qytetare.
“Unë mbështes protestat qytetare. Do të shqetësohesha nëse pas vendimit në Hagë nuk do të kishte protesta”, deklaroi Haxhiu.
Gazetarja vazhdoi ta ngritste zërin gjatë pyetjeve të saj, ndërsa Haxhiu reagoi duke i kërkuar gazetares të mos e ngrinte zërin dhe të sillej më me mirësjellje.
Përveç përplases me kryetaren e kuvendit, gazetarja pengoi edhe gazetarët e tjerë për të bërë pyetje.
Pas incidentit, KosovaNews ka marrë vesh se gazetarja në fjalë nuk kishte akreditim për të hyrë në kuvend dhe ajo është futur në ndërtesë si mysafire e PDK-së.
E gjithë kjo pra duket të jetë një skenar i PDK-së e cila përmes kontrollit që ju bënë një pjese të gazetarëve u shkruan edhe pyetjet me porosi për t’i goditur kundërshtarët.
KosovaNews i ka dërguar pyetje Kuvendit të Kosovës për të kërkuar sqarime për praninë e gazetares në konferencë, konkretisht nëse ajo kishte qenë e akredituar dhe si kishte arritur të hynte në ambientet e Kuvendit.
Në përgjigjen e dërguar për KosovaNews, Kuvendi ka konfirmuar se znj. Gashi nuk kishte pasur akreditim për të hyrë në ambientet e Kuvendit dhe se këtë ja kishte mundësuar konkretisht deputetja Vlora Çitaku e cila është edhe Sekretare e Përgjithshme e PDK-së.
Sipas Kuvendit, gazetarja fillimisht nuk ishte lejuar të hynte në hapësirat e institucionit pasi që nuk kishte akreditim.
Megjithatë, bazuar në informacionet e shërbimit të sigurisë, ajo më pas ka hyrë në ndërtesë përmes Arita Krasniqit, zyrtare e lartë personale e deputetes Vlora Çitaku.
“Gazetarja në fjalë nuk ka pasur akreditim për të hyrë në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe, për këtë arsye, fillimisht nuk ishte lejuar të hyjë në hapësirat e Kuvendit. Megjithatë, sipas informacioneve të shërbimit të sigurisë, i cili mbikëqyr hyrjet dhe daljet në Kuvend, ajo ka hyrë më pas në ndërtesën e Kuvendit përmes Arita Krasniqit, zyrtare e lartë personale e deputetes Vlora Çitaku.” thuhet ndër të tjera në përgjigjen zyrtare të kuvendit dhënë për KosovaNews.
Sipas Drejtorisë për Media të Kuvendit të Kosovës pavarësisht futjes së Edona Gashit në ambientet e kuvendit ajo nuk kishte të drejtë t’i përcillte aktivitetet e kuvendit pasiqë ajo nuk ishte futur përmes zyres për media të kuvendit por ishte e ftuar si mysafire e PDK-së.
“Pavarësisht mungesës së akreditimit mediatik, gazetarja ka marrë pjesë dhe ka përcjellë konferencën për media, pa pasur autorizimin përkatës si përfaqësuese e akredituar e medias. Kjo përbën shkelje të rregullave të përcaktuara për akreditimin dhe qasjen e përfaqësuesve të mediave në aktivitetet e Kuvendit”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.
Institucioni ka theksuar se për mbulimin e aktiviteteve të Kuvendit, përfshirë konferencat për media, gazetarët pajisen me akreditim në përputhje me rregullat në fuqi.
Sipas Kuvendit, akreditimi synon të sigurojë qasje të rregulluar dhe kushte të barabarta për përfaqësuesit e mediave, si dhe zhvillimin e rregullt të aktiviteteve të institucionit.