Shtëpia e gazetarit Vudi Xhymshiti përfshihet nga flakët: Çfarë po ndodh?
Siguri
![]()
Sinjali.com
26 Shtator 2026 19:47
Gazetari Vudi Xhymshiti ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se shtëpia e prindërve të tij në Gjilan është përfshirë nga zjarri.
Për rastin, Gazeta Sinjali ka kontaktuar Policinë e Kosovës, e cila ka konfirmuar se më 26 shtator, rreth orës 15:45, Stacioni Policor në Gjilan ka pranuar informatën për një zjarr në një shtëpi në fshatin Livoç i Ulët.
Sipas Policisë, nga zjarri janë shkaktuar dëme materiale në bodrumin e shtëpisë, ku ndodheshin një veturë, mjete pune dhe disa orendi shtëpiake.
“Shtëpia në fjalë është e pabanuar, ndërsa nuk dihet koha e saktë kur kishte ndodhur zjarri”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Policisë së Kosovës, përfshirë hetuesit dhe zyrtarët e Krimteknikës Rajonale, ndërsa ka dalë edhe eksperti për zjarre.
Deri në këtë fazë nuk është përcaktuar shkaktari i zjarrit.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për hetime në drejtim të veprës penale “Zjarrvënie”.
Hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!