Zëri i Dua Lipës ‘trondit’ Shakirën – Moment viral që po bën xhiron e rrjeteve
Dua Lipa dhe Shakira kanë ndarë mbrëmjen e së shtunës skenën në Madrid, duke i dhuruar publikut një nga momentet më të veçanta të koncertit.
Ylli shqiptar me famë botërore iu bashkua Shakirës në skenë gjatë koncertit të saj në Madrid, ku të dyja interpretuan së bashku një prej këngëve më të hershme dhe më të njohura të artistes kolumbiane, “Antología”.
Dua e nisi këngën duke interpretuar në spanjisht, ndërsa mënyra se si e këndoi bëri që Shakira të vendoste dorën në zemër, e emocionuar nga performanca e saj.
Më pas, dy këngëtaret vazhduan interpretimin së bashku, të shoqëruara nga një orkestër që performonte live, duke krijuar një moment të veçantë për publikun në Madrid.
Bashkëpunimi mes dy artisteve nuk ishte krejtësisht i papritur për fansat që i kanë ndjekur zhvillimet e muajve të fundit. Lidhja e tyre muzikore nisi në nëntor të vitit 2025, kur Dua Lipa interpretoi “Antología” gjatë koncertit të saj në Bogotá, në kuadër të turneut “Radical Optimism”.
Interpretimi i këngës nga Dua në atë kohë tërhoqi vëmendjen e Shakirës, e cila e falënderoi publikisht për versionin e saj, duke u shprehur se ishte prekur shumë nga fakti që kënga ishte interpretuar nga Dua në të njëjtin qytet ku ajo e kishte shkruar vite më parë.
Shakira kishte theksuar edhe lidhjen e veçantë që krijoi muzika mes dy artisteve, njëra nga Londra dhe tjetra nga Barranquilla.
Pothuajse një vit më vonë, të dyja patën mundësinë ta interpretonin së bashku këngën në skenën e Madridit.
“Antología” është një prej baladave më të njohura të fillimeve të karrierës së Shakirës dhe u publikua fillimisht në albumin e saj të vitit 1995, “Pies Descalzos”.
Kënga është bërë ndër vite një prej momenteve të veçanta të koncerteve të Shakirës, ndërsa gjatë qëndrimit të saj në Madrid ajo e ka interpretuar edhe me artistë të tjerë të njohur.
Performanca e përbashkët me Dua Lipën u zhvillua gjatë serisë së koncerteve të Shakirës në Madrid, pjesë e turneut të saj “Las Mujeres Ya No Lloran World Tour”.



