Browse

Article • • 1 min read

Sulm me Molotov në Pejë: Çfarë po ndodh me ELKOS dhe Ramiz Kelmendin?

Share Post

Ekskluzive

news image

sinjali

Sinjali.com

06 Tetor 2026 08:15


Dy incidente me mjete ndezëse janë regjistruar në orët e para të 5 tetorit 2026 në Pejë, ku në shënjestër kanë qenë depot e “ELKOS”-it në Zahaq dhe shtëpia e Ramiz Kelmendit në rrugën “Zahir Pajaziti”.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 04:50, persona ende të paidentifikuar, duke lëvizur me një automjet, dyshohet se kanë hedhur dy koktej molotovi në drejtim të depove të “ELKOS”-it në fshatin Zahaq.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, autorët nuk janë ndalur fare me automjet. Njëri prej mjeteve ndezëse ka shpërthyer, ndërsa tjetri ka mbetur i pashpërthyer në vendin e ngjarjes.

Policia ka siguruar zonën, ndërsa në lokacion kanë dalë njësitet patrulluese dhe hetimore.

Ndërkohë, rreth orës 08:50, Policia është njoftuar edhe për një tjetër incident që kishte ndodhur po atë mëngjes, rreth orës 04:00, te shtëpia e Ramiz Kelmendit në rrugën “Zahir Pajaziti” në Pejë.

Edhe aty dyshohet se janë hedhur dy koktej molotovi, të cilët kanë shpërthyer, por sipas të dhënave fillestare nuk kanë shkaktuar dëme materiale.

Në të dyja lokacionet kanë dalë hetuesit dhe krim-teknika, ndërsa është kërkuar edhe angazhimi i njësisë së specializuar për trajtimin dhe ekzaminimin e mjeteve të përdorura.

Për rastet është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që të iniciohen hetime për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Deri më tani nuk është identifikuar personi apo personat e dyshuar, ndërsa motivet e sulmeve mbeten të panjohura.

Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e autorëve dhe sqarimin nëse dy incidentet janë të ndërlidhura.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/