Çfarë ndodhi në mbledhjen urgjente të Ramës me policinë?
Lexoni më poshtë: Nxënësit nuk do rikthehen në shkolla pa pasoja, as studentët
Lexoni më poshtë: Rama: 2500 euro shpërblim për të gjithë policët që përballen me protestë, rritje e madhe page nga janari 2027
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në Ministrinë e Brendshme zinxhirin komandues policor në një mbledhje të jashtëzakonshme e cila po transmetohet në rrjetin social Facebook, profili i Kryeministrit.
Është e paqartë nëse kjo mbledhje po zhvillohet drejtpërdrejt.
Momentalisht po flet ministri i Brendshëm Ervin Demo i cili po flet me tone të ashpra për zhvillimet e dhunshme të protestës, duke deklaruar se "dhuna nuk do të jetë mjet negocimi".
“Natën e kaluar ka ndodhur diçka që ka kaluar vijën e kuqe. Komisariati nr.3 është sulmuar, jo thjesht komisariati policisë por edhe punonjësit e policisë që kanë qenë aty janë dëmtuar deri me djegie. Kjo është jo vetëm e papranueshëm, por tregon se elementet e dhunës që janë përfshirë në këtë protestë kanë arritur në nivele që tregojnë se kjo nuk është më as protestë studentore dhe nuk mund të quhet më as protestë”, tha Demo.
“Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Dhuna nuk mund të pranohet nga askush”, deklaroi Demo.
Ministri tha se në gjashtë ditë protesta janë regjistruar 295 persona të plagosur.
Ai foli gjithashtu mbi sulmet ndaj subjekteve politike dhe tha se elementët e dhunshëm në protestë “kanë gjetur azil politik në një parti”, duke nënkuptuar Partinë Demokratike.
“Ajo që ka ndodhur po dje, kemi patur sulme ndaj subjekteve të caktuara politike. Kemi parë që elementët e dhunshëm të asaj proteste kanë gjetur azil politik në një parti. Kjo tregon më së miri edhe motivimin e dhunës që është brenda asaj protestë”, deklaroi ai.
Rama, policisë: Jeni nën sulm gurësh dhe ekranesh
Pas Demos nisi të flasë kryeministri Edi Rama. Edhe ai përsëriti se nuk ka negociata me studentët që siç tha ai po përdorin dhunë.
“Nuk negociohet me askënd që mban në dorë këtë, (tregon një gur). Ka rënë shteti nëse negocion me të. Në momentin që ai fiton, logjika e tij bëhet vetë shteti. Shqipëria e ka parë këtë film më shumë se një herë dhe pasojat kanë lënë plagë", tha kryeministri.
Në këtë pikë ai iu drejtua zinxhirit komandues policor që të jenë të prerë në reagimin e tyre ndaj protestës duke përkrahur veprimet e tyre.
Rama përsëriti se ka forca të errëta që po ndërhyjnë në protestë.
Ndërsa iu drejtua zinxhirit komandues policor që ndodhet në sallë se "ju jeni nën sulm gurësh dhe ekranesh njëkohësisht".
“Valë dhune që s’ka të bëjë me asnjë nga arsyet që janë legjitime, të qytetarëve në një vend të lirë dhe demokratik për të pasur pakënaqësi. Me këtë (gur) nuk negociohet. Dhe me këdo që vë përpara këtë, nuk negociohet. Kur shteti negocion me këtë, ka rënë. Dhe në momentin kur fiton ky, atëherë logjika e këtij bëhet vetë shteti”, u shpreh ai.
Rama iu drejtua më pas protestuesve duke thënë se "është një masë të rinjsh e të rejash që vijnë nga periferitë që kanë nevojë për psikologë".
“Kjo nuk është revoltë për arsimin… Çfarë studentësh janë këto? Si mund të jenë studentë këta që adhurojnë gurin, që duartrokasin djegien e policit, me djegien e bizneseve, që duartrokasin djegin e bankave, si mund të jenë studentë. Këta nuk janë studentë. Këta nuk ka si të jenë studentë, edhe pse mund të jenë regjistruar në shkollë. Vullneti i popullit do kthehet përmbys?”, tha Rama.
Menjëherë më pas ai bëri disa premtime për policinë.
Fillimisht ai tha se nga janari do të ketë rritje të konsiderueshme të pagave të tyre.
Ai njoftoi se do të japë 2.500 euro për çdo efektiv policie që ndodhet në front. "E vendosëm këtë vlerë njëlloj për të gjithë, jo sipas pagës", tha Rama.
“Ne do ta rrisim në mënyrë të konsiderueshme pagën tuaj. Kur policinë e gjetur të tradhtuar dhe të braktisur, bëmë rritje të konsiderueshme atëherë. Në vite, nuk e kemi rritur aq sa duhet pagën tuaj. Po bisedonim përpara disa javësh. Me buxhetin e ri, nga 1 janari, paga juaj do të rritur në mënyrë të konsiderueshme. Ne do vëmë në dispozicion një shumë prej 2500 eurosh, për çdo efektiv në front. E vendosëm kështu, për të mos bërë asnjë diferencë. Jeni një, dhe një për të gjithë. Shteti do ta fitojë këtë betejë”, tha ai.
Kurse siguroi menjëherë më pas se nuk do të tërhiqet dhe nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
Rama iu kthye më tej nxënësve të shkollave kur tha se ata nuk do ta kalojnë lehtë këtë dhe se nuk do të kthehen në shkollë pa pasur pasoja. Ai paralajmëroi se do të ketë zhdëmtim nga prindërit e nxënësve. Këtu përmendi dhe studentët duke kërcënuar se do tu priten bursat dhe do të paguajnë për universitetet.
Rama iu drejtua edhe mësuesve dhe përmendi disa në Lezhë që deklaroi me gjuhë të ashpër se nuk do të jenë më mësues madje siguroi se nuk do të jenë më kurrë në administratë sepse sipas tij përkrahën protestën e dhunshme.
Rama nuk la pa sulmuar gjatë gjithë fjalimit edhe mediat duke i quajtur të korruptuara.
Vijon…
Fjala e plotë e Demos në takimin e mbajtur në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me Kryeministrin Rama dhe strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit:
Në fakt ky është një takim me zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit dhe patjetër gjithë zinxhirin komandues të Drejtorisë së Policisë në Tiranë.
Ky takim vjen si rrjedhojë duke marrë në konsideratë edhe atë çfarë të gjithë ne kemi qenë dëshmitarë gjatë ditëve të fundit, dhe duke referuar vetëm natës së fundit, ka ndodhur diçka që, me thënë të drejtën, ka kaluar vijën e kuqe.
Dje Komisariati nr. 3 është sulmuar nga protestues, jo thjesht komisariati si godinë, por edhe punonjës të Policisë së Shtetit që kanë qenë aty në perimetrin e komisariatit dhe brenda tij, janë dëmtuar deri me djegie, të trupit të tyre duke e mbrojtur godinën e Policisë së Shtetit.
Kjo është jo vetëm e papranueshme, por tregon fakt që elementët e dhunës të cilët janë përfshirë në këtë protestë, kanë arritur në nivele të cilat qartësi e tregojnë që kjo nuk është më as protestë studentore, në fakt, nuk mund të quhet më as protestë.
Ajo çfarë normalisht ka ndodhur po ashtu gjatë ditës së djeshme, ne kemi pasur sulme ndaj subjekteve të caktuara politike, ndërkohë kemi parë po ashtu që elementë të dhunshëm të asaj proteste, kanë gjetur azil politik në një parti të caktuar. Kjo tregon më së miri dhe motivimin e elementëve të dhunës që janë brenda kësaj lëvizje.
Në fakt, unë do të përmendja një shifër e cila bën të gjithëve të ndihemi jo mirë: janë 295 të lënduar në këto 6 ditët e fundit. Unë nuk po i ndaj në fillim as trupat e Policisë, as protestuesit. Ata janë 295 shqiptarë, të cilët gjatë ditëve të fundit kanë pësuar dëmtime, dhe në disa raste jo të lehta. Kanë qenë forcat e Policisë, kanë qenë protestues aktivë, kanë qenë kalimtarë, kanë qenë gazetarë. Janë 295. Numri më pas tregon më së miri atë çfarë ka bërë Policia e Shtetit me profesionalizëm dhe me vetëpërmbajtje. Sepse nga këta 295 të dëmtuar, 186 janë punonjës policie.
Ky raport, 2 në 3 afërsisht, tregon më së miri vetëpërmbajtjen dhe profesionalizmin tuaj, i cili ka qenë në fokus gjatë gjithë kohës, për sa i përket asaj e cila është dhe objektivi më i rëndësishëm për të ruajtur jetën e qytetarëve.
Ju jeni ata të cilët duhet të keni mbështetjen maksimale sepse jeni trupa që garantoni protestat paqësore. E në asnjë rast, gjatë gjithë komunikimeve që ne kemi pasur me gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit, nuk është vënë asnjëherë në dyshim roli dhe pozicioni i Policisë së Shtetit për të garantuar protestat paqësor, për të garantuar të drejtat kushtetuese që çdo qytetar ka.
Por është e papranueshme që ne të kemi në rrugët e Tiranës, tashmë prej ditësh, elementë të dhunshëm, të cilët nuk kanë tashmë asnjë kufizim për sa i përket objektivave, që ata vendosin për të bërë dëm, duke filluar që nga bizneset private, që nga institucionet publike, dhe deri te partitë politike.
Kjo e tregon më së miri një thirrje ulëritëse, që ndryshe nga vendet të cilat po kalojnë protestat të ngjashme, dhe unë kam qenë në kontakt me homologë të mitë, me kolegë të mitë, gjatë këtyre ditëve, ku e vetmja ndryshim që kanë me vendin tonë është një: atje shoqëria qytetarët partitë politike qartazi janë pozicionuar kundër dhunës. Jo kundër të drejtës për të protestuar, por kundër dhunës.
Fatkeqësisht ajo çfarë mua më bën të ndihem shumë keq për të gjithë punonjësit e Policisë, të cilët kanë duruar dhunë barbare gjatë këtyre ditëve, është që ne sot pas 6 ditësh nuk kemi që forcat politike apo qoftë edhe shoqëria civile të dalin dhe të mbajnë qëndrim për sa i përket dhunës që ndodh në kryeqytet.
Ky është një ndryshim që kam midis këtyre vendeve sot.
Prandaj, dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike, dhuna nuk është mjet negocimi, qeveria shqiptare, Kryeministri e ka bërë të qartë që me këdo dhe kurdo, ne, qeveria është e gatshme që të flasë, por ajo çfarë ne duhet të ndajmë pike së pari dhe këtu nuk do të mund të ketë asnjë lloj vije, ku mund të ketë pozicione të ndryshme, dhuna nuk mund të pranohet nga askush. Dhuna nuk mund të jetë si një mjet negocimi.
Unë do të doja t’ju falënderoja të gjithëve për sakrificën tuaj. E di shumë mirë se sa e vështirë ka qenë. Kam qenë me ju gjatë gjithë kësaj kohe. I kemi ndjekur gjërat nga afër, kemi qenë bashkë me Drejtorin, me përgjegjësin e Policisë, çdo ditë pothuajse, çdo natë kemi qenë në spital, pavarësisht se edhe nuk i bëjmë publike.
Sepse unë mendoj që ajo çfarë është e rëndësishme në këto momente është që ne duhet të jemi pranë jush, ju nuk jeni vetëm, do të keni mbështetjen tonë maksimale, dhe e keni sepse këtu jemi për të mbrojtur atë çfarë është më e shenjtë, që është demokracia shqiptare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.