U kap në flagrancë: Detajet tronditëse pas arrestimit të këtij fajdexhiu
Ekskluzive
![]()
Sinjali.com
23 Tetor 2026 20:54
Detaje të reja ka mësuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali lidhur me arrestimin e 42-vjeçarit Luan Kastrati në Pejë, i cili u kap në flagrancë duke pranuar para nga një viktimë, në emër të interesit të fajdesë. Sinjali mëson se gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe dy pistoleta, dy pushkë të gjata dhe municion të kalibrave të ndryshëm.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, operacioni policor është realizuar më 22 tetor 2026, pas veprimeve hetimore të zhvilluara me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Kastrati dyshohet se, për një periudhë kohore, kishte ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj viktimës, duke e detyruar atë të paguante shuma të ndryshme parash në emër të interesit të fajdesë.
Hetuesit policorë kanë ndërhyrë në momentin kur i dyshuari po pranonte para nga viktima, me ç’rast është arrestuar në flagrancë.
Pas arrestimit, hetimet kanë vijuar me kontrollin e vendbanimit të tij, i cili është realizuar me urdhër të gjykatës. Gjatë këtij kontrolli, Policia ka gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme materiale, përfshirë dy pistoleta, dy pushkë të gjata dhe municion të kalibrave të ndryshëm.
Pra, hetimet nuk kanë përfunduar me arrestimin e tij.
Pas përfundimit të veprimeve fillestare policore, Prokurori i Shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarit.
Ndaj Luan Kastratit rasti është iniciuar për veprat penale “Fajde”, nga neni 331, “Detyrimi”, nga neni 340, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!