Browse

Article • • 1 min read

Çfarë po i ndodh vërtet 27-vjeçares në krizë?

Share Post

Një 27-vjeçare me probleme të rënda të shëndetit mendor dyshohet se po shfrytëzohet seksualisht nga persona të ndryshëm, ndërsa pamjet intime të saj përdoren për ta vënë nën presion.

Fiks Fare ka siguruar biseda dhe materiale shqetësuese, ku persona të ndryshëm i premtojnë para pas marrëdhënieve seksuale. Një situatë alarmante, që ngre pikëpyetje serioze për sigurinë dhe mbrojtjen e një vajze në gjendje të rënduar shëndetësore dhe sociale.

Halla ngre alarmin: Kam kërkuar ndihmë në polici

Është halla e 27-vjeçares ajo që ngre shqetësimin për atë që dyshon se po i ndodh mbesës së saj. Ajo tregon se familja jeton në kushte të vështira ekonomike dhe se vajza, sipas saj, është e ekspozuar ndaj shfrytëzimit nga burra të lagjes, kryesisht të moshuar. Halla thotë se i është drejtuar policisë dhe ka bërë të ditur problemet e shëndetit mendor të mbesës, por pretendon se deri tani nuk është gjetur një zgjidhje.

Babai nuk di ku shkon vajza, banesa në kushte të rënda

Fiks Fare ka shkuar në banesën ku jeton 27-vjeçarja së bashku me të atin e sëmurë. Pamjet tregojnë kushte të rënda jetese, ndërsa babai rrëfen se vajza largohet nga shtëpia çdo pasdite dhe kthehet në mëngjes. Ai thotë se nuk e di se ku shkon dhe me kë shoqërohet, ndërsa gjendja e tij shëndetësore ia vështirëson mundësinë për t’u kujdesur për të bijën.

Bisedat në telefon ngrenë dyshime për shfrytëzim dhe shantazh

Gjatë verifikimeve, Fiks Fare ka siguruar biseda dhe materiale nga telefoni i 27-vjeçares, të cilat ngrenë dyshime serioze për shfrytëzim seksual. Në komunikime shfaqen persona që i premtojnë para pas akteve seksuale, ndërsa në materiale të tjera shfaqen pamje intime të vajzës, të cilat dyshohet se janë regjistruar pa respektuar dinjitetin dhe vullnetin e saj dhe më pas i janë dërguar asaj.

Një tjetër komunikim me video tregon një person që e pyet vajzën se ku ndodhet dhe i kërkon të kthejë kamerën, për të parë nëse është e shoqëruar apo vetëm. Të gjitha këto materiale ngrenë dyshime që kërkojnë hetim të plotë nga organet kompetente, për të përcaktuar rrethanat, personat e përfshirë dhe nëse vajza është viktimë e shfrytëzimit apo shantazhit.

Banorët e lagjes konfirmojnë shqetësimin

Disa banorë të zonës tregojnë se vajza largohet nga banesa në orët e pasdites dhe se, sipas tyre, një burrë vjen për ta marrë. Banorë të tjerë flasin edhe për sjellje problematike të saj, por pranojnë se ajo ka probleme shëndetësore. Dëshmitë e tyre shtojnë pikëpyetjet mbi situatën në të cilën ndodhet 27-vjeçarja dhe mungesën e një mbështetjeje të qëndrueshme.

Shërbimi social e njeh rastin, por vajza vijon të jetë e pambrojtur

Fiks Fare i është drejtuar edhe shërbimit social, ku punonjësi konfirmon se rasti është i njohur. Sipas tij, vajza është dërguar më parë në një qendër në Tiranë, por nuk ka qëndruar aty dhe është kthyer, pasi kishte shfaqur sjellje agresive.

Dokumentacioni që disponon shërbimi social konfirmon se 27-vjeçarja ka probleme të shëndetit mendor dhe trajtohet me KEMP. Megjithatë, sipas punonjësit, ajo nuk ka një kujdestar që të kujdeset për të. Kështu, pavarësisht se rasti njihet nga institucionet, vajza vijon të jetojë në kushte të vështira dhe pa mbrojtjen e nevojshme.

Fiks Fare i dorëzon policisë bisedat dhe materialet

Përballë dyshimeve serioze të ngritura nga bisedat dhe materialet e siguruara, Fiks Fare ka depozituar në polici komunikimet mes 27-vjeçares dhe personave të ndryshëm, duke kërkuar verifikimin e tyre. Deri në bërjen publike të rastit nuk ka asnjë përgjigje nga policia.

Top Channel