Përfundimi i papritur: Çfarë ndodhi me nënën dhe djalin e zhdukur nga Viti?
Siguri
![]()
Sinjali.com
24 Tetor 2026 10:27
Një grua nga fshati Drobesh i Vitisë dhe djali i saj 11-vjeçar, të cilët u raportuan të zhdukur pasi ishin larguar nga shtëpia pa u kthyer, rezulton se kishin udhëtuar jashtë Kosovës. Rasti që fillimisht ngriti shqetësime te familjarët është sqaruar pas verifikimeve të Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për Zymrije Rashitin, rreth 48-vjeçare, dhe djalin e saj të mitur, të cilët më 22 tetor kishin udhëtuar drejt Belgjikës përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Gjithçka nisi të enjten, rreth orës 22:00, kur B.R., i nga fshati Drobesh u paraqit në Polici për të raportuar zhdukjen e nënës dhe vëllait të tij.
Sipas deklarimit të tij, të dy ishin larguar nga shtëpia rreth orës 11:30 dhe deri në orët e mbrëmjes nuk ishin kthyer.
Pas raportimit, Policia kishte iniciuar rastin si “Person i zhdukur” dhe kishte ndërmarrë veprimet përkatëse.
Mirëpo, një ditë më vonë, më 23 tetor, familjari që kishte raportuar zhdukjen njoftoi Policinë se nëna dhe vëllai i tij kishin fluturuar për në Belgjikë.
Informacioni është verifikuar edhe përmes regjistrave të hyrjeve dhe daljeve në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku është konfirmuar se të dy kishin udhëtuar drejt Belgjikës më 22 tetor.
Pas konfirmimit të këtyre të dhënave, Prokuroria ka urdhëruar mbylljen e rastit dhe përcjelljen e tij në Prokurorinë Themelore në Gjilan përmes një raporti të veçantë, sipqs dispozitave të kodit të procedurës penale.
Rrethanat e largimit të tyre nga shtëpia nuk janë sqaruar në informacionet e siguruara, ndërsa verifikimet kanë konfirmuar udhëtimin e tyre jashtë vendit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!