Browse

Article • • 1 min read

Ish-banorja e BBVA në qendër të akuzave për mashtrim

Share Post

Nëntë persona janë arrestuar në Kosovë gjatë një operacioni policor kundër veprimtarisë së dyshuar të mashtrimit përmes qendrave të thirrjeve (call center), të zhvilluar në Prishtinë dhe Obiliq.

Mes personave të arrestuar, sipas raportimeve të IndeksOnline, dyshohet se është edhe këngëtarja Ariana Plakici, e njohur për publikun shqiptar si ish-banore e edicionit të dytë të “Big Brother VIP Albania”.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në pranga kanë përfunduar shtatë meshkuj dhe dy femra. Gjashtë prej të dyshuarve janë shtetas të Kosovës, ndërsa tre të tjerët kanë shtetësi gjermane.

Nga hetimet dyshohet se personat e përfshirë kanë vepruar në bashkëpunim, duke përdorur qendrat e thirrjeve për të kontaktuar shtetas të huaj dhe për t’i mashtruar ata.

Gjatë operacionit janë kontrolluar katër lokacione, ku autoritetet kanë sekuestruar 39 kompjuterë, pesë telefona celularë, 12 pajisje të memories së jashtme, një automjet, një armë zjarri me gjashtë fishekë, si dhe 850 euro dhe 100 franga zvicerane.

Në pajisjet kompjuterike të sekuestruara, sipas Policisë, janë gjetur edhe të dhëna që u përkasin shtetasve të huaj, të cilat pritet të analizohen në kuadër të hetimeve.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit për nëntë personat e dyshuar.