Browse

Article • • 1 min read

Prokurorja Suada Hamza nën vëmendje: Detaji që po komentohet

Share Post

Siguri

news image

sinjali

Sinjali.com

26 Tetor 2026 09:27


Prokurorja Suada Rama-Hamza, ndaj së cilës përfaqësuesja e Arlinda Sylaj Zekajt kishte kërkuar hetim disiplinor për mënyrën e trajtimit të çështjes së fëmijës së saj, është edhe zëvendësanëtare e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës. Ankesa ndaj saj është rikthyer në vëmendje pas vrasjes së Arlindës në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor.

Rama-Hamza ishte përfshirë në përbërjen e miratuar nga Kuvendi më 27 prill 2026, me 63 vota për. Ajo është zëvendësanëtare pyetëse për lëndën “E Drejta Kushtetuese dhe Bazat e Sistemit Gjyqësor”, ku anëtare është Anita Prenaj-Krasniqi.

Gazeta Sinjali ka raportuar për dokumentet që zbardhin ankesën e përfaqësueses së Arlindës lidhur me trajtimin e çështjes së djalit të saj. Në ankesë ngriheshin pretendime për mungesë të masave urgjente për mbrojtjen e fëmijës, mossigurim të provave dhe trajtim të të miturit pa garancitë e nevojshme profesionale.

Megjithatë, më 21 gusht 2026, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë e kishte hedhur poshtë kërkesën për inicimin e procedurës disiplinore. Sipas arsyetimit të raportuar nga Sinjali, ishte vlerësuar se prokurorja kishte vepruar brenda kompetencave dhe se nuk ishte provuar shkelje disiplinore.

Më 22 tetor, Arlinda iu drejtua sërish Prokurorisë, duke kërkuar veprime ndaj zyrtarëve për mospërmbushje të pretenduar të detyrave dhe për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor. Prokuroria ka deklaruar se parashtresa ishte regjistruar për vlerësim nga prokurori kompetent dhe ishte përcjellë për trajtim urgjent te institucionet përkatëse.

Tri ditë më vonë, Arlinda u vra në Vitomiricë. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj.

Dokumentet e raportuara e lidhin Rama-Hamzën me trajtimin e çështjes së fëmijës dhe me ankesën disiplinore. Ato nuk përbëjnë konstatim të përgjegjësisë së saj për vrasjen e Arlindës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/