Rezarta Shkurta dhe Ergys Agasi: Cila është e vërteta?
Këngëtarja Rezarta Shkurta ka reaguar pas zërave që kanë qarkulluar në rrjetet sociale për një takim të saj me biznesmenin Ergys Agasi, emri i të cilit është përmendur së fundmi në lidhje me hetimet e SPAK.
Përmes disa postimeve në Instagram, Shkurta ka sqaruar se me Agasin njihet që nga fëmijëria, pasi kanë qenë bashkë në kopsht dhe kanë vazhduar të njëjtën shkollë deri në klasën e tetë.
“Ergysin e njoh që nga kopshti dhe kemi qenë bashkë në shkollë fillore deri në klasën e tetë”, shkruan ajo, duke iu përgjigjur pretendimeve se është takuar së fundmi me biznesmenin.

Këngëtarja ka treguar se më vonë ka pasur komunikime telefonike me Agasin dhe familjarët e tij për realizimin e disa seteve fotografike familjare, por ka mohuar të jetë takuar personalisht me të që prej asaj periudhe.
“Më vonë kemi komunikuar në telefon, bashkë me familjarë të tij, për realizimin e seteve fotografike familjare të familjes së tij. Megjithatë, prej asaj kohe nuk jemi takuar personalisht”, shprehet Shkurta.
Ajo e ka mbyllur reagimin me një koment ironik ndaj atyre që kanë ngritur pikëpyetje për njohjen e tyre.
“Nuk e dija që për të pasur miq duhej edhe certifikatë pastërtie nga opinioni publik!”, shkruan këngëtarja.
Për të treguar se njohja e tyre daton që në fëmijëri, Rezarta ka publikuar edhe një fotografi të vjetër të klasës, ku shfaqet së bashku me ish-shokët e shkollës.
“Na u bë klasa e famshme. Quiz: Gjeni ku jam unë… dhe ku është Ergysi?”, ka shkruar ajo krahas fotografisë.

Reagimi i saj vjen në një kohë kur emri i Ergys Agasit është përfshirë në një hetim të SPAK për dyshime mbi kontrollin dhe manipulimin e tenderëve publikë. Biznesmeni u arrestua në gusht të këtij viti dhe përballet me akuza për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal.
Ndërsa në rrjetet sociale vijojnë diskutimet për lidhjet e Agasit me personazhe të njohur, Rezarta Shkurta ka zgjedhur të sqarojë publikisht natyrën e njohjes së tyre, duke theksuar se bëhet fjalë për një marrëdhënie që daton që nga vitet e shkollës.