Kthimi vonë që ndezi dramën familjare në Fushë Kosovë
Siguri
![]()
Sinjali.com
29 Tetor 2026 20:46
Një grua ka përfunduar me lëndime trupore pas një incidenti të dhunës në familje në Fushë Kosovë, ku dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshjeje që nisi për shkak të kthimit të tij në orët e vona në shtëpi.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 28 tetor, në rrugën “Gaula Rosi”, në Lagjen 28, ndërsa Policia është njoftuar për incidentin rreth orës 09:55.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari R.H. 47 vjeçar dyshohet se gjatë përplasjes me bashkëshorten e tij, Sh.H. 42 vjeçare, e ka goditur atë me grushte dhe shuplaka, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Dyshohet se gjithçka ka nisur pas një fjalosjeje mes çiftit, për shkak se bashkëshorti ishte kthyer në shtëpi në orët e vona.
Si pasojë e sulmit të dyshuar, gruas i është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa rasti është marrë në trajtim nga hetuesit për dhunë në familje.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, është marrë vendim që bashkëshorti të ndalohet për 48 orë, ndërsa ai është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Lipjan.
Ndërkohë, pas vlerësimit të sigurisë, viktima dhe dëshmitari janë kthyer në shtëpi.
Rasti po trajtohet si “Dhuna në familje”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!